Vizitë në “Boshtin e të Keqes”

Iranians Commemorate The 25th Anniversary Of The Islamic Revolution
Olsi Jazexhi
Të dashur miq,
Assalamu aleikum

 

Nga data 3 deri 15 shkurt 2009 apo 15 deri në 27 bahman 1387 isha në Iran. Arsyet pse shkova në Iran janë të shumta. Pikë së pari duhet të pranoj që ky vend më ka magjepsur që kur kam filluar të mësojë mbi fenë islame. Ajatollahët e Iranit të cilët sfidonin perëndimin dhe kishin një mënyrë tjetër jetese nga ato të botës së degjeneruar ku ne jetojmë sot, kanë ndezur gjithmonë kureshtjen time për ta vizituar këtë vend. Arsyeja e dytë lidhet me dëshirën time për të kuptuar më mirë shiizmin, gjendjen e muslimanëve në botë por edhe një formë demonstrimi të Islamit politik në botën moderne. Për këto arsye disa javë më parë aplikova pranë Universitetit të al-Mustafasë në qytetin e Kum-it (Qom) që të ndjek një shkollë të shkurtër dimri mbi Islamin dhe demokracinë. Pas pranimit në shkollën dimërore vendosa që të largohem përkohësisht nga preokupimet e mia dhe të vizitoj të pavizitueshmin; Iran. Por këtu duhet të pranojë që përpara se të nisem hasa në një seri peripecishë dhe dilemash. Pikë së pari kisha një mosvendosmëri në vetvete – nëse duhet ta vizitoja Iranin apo jo – pasi, si nxënës i historisë dhe monitorues i zhvillimeve botërore që jam – isha mëse i sigurtë që vizita ime do të përcillej nga një seri spiunazhesh në Shqipëri dhe në Ballkan. Në listat tonë të internetit ne kemi lexuar disa vite më parë sesi SHIK-u në bashkëpunim me shefat e tij bushistë monitoron, fotografon, përgjon dhe ndjek të gjithë fondacionet iraniane dhe islame në Tiranë. E njëjta gjë bëhet edhe në vendet e tjera të Evropës, sidomos pas shpalljes nga amerikanët të luftës së tyre kundër islamit. Dhe ne muslimanët e shtypur që rrojmë në një botë ku sundon Vëllai i Madh judeo – kristian, i cili të rreh sa me kulaç aq edhe me kërbaç, duhet të mendohemi shumë herë përpara se të bëjmë diçka. Mua jo në pak raste ish-agjentë të sigurimit të shtetit si Xhavit Shala dhe Piro Misha më kanë akuzuar në shkrimet e tyre si ‘vehabi’. Po tani që do të vizitoja Iranin çfarë do të më akuzonin? Që jam bërë ‘shija’? Aferim!

Megjithatë, dilemës dhe parandjenjës që vizita ime do të përcillet me shumë përgjime kaurësh histerikë, më në fund dhe pasi isha mprehur tamam si ai fëmija adoleshent i cili për të kapur të pamundurën bën çdo marrëzi, edhe unë dilemës time mbi Iranin i dhashë një përgjigje të prerë; do të shkoj. Duke menduar që në këto vitet e fundit Iranin e kanë vizituar një sërë anti-muslimanësh shqipfolës, që nga Piro Misha, Remzi Lani, Fatmir Toçi etj, shumë muslimanë, gazetarë dhe zyrtarë të Shqipërisë, dhe për më tepër kur mendova që të krishterët protestantë, katolikë dhe ortodoksë vizitojnë sa herë të duan dhe pa ndonjë shqetësim Amerikën, Vatikanin, Greqinë, Serbinë dhe Rusinë, unë i thashë vetes; mos janë më të mirë sesa unë ata? Pse fjala bie katundari nga Berati, Erion Velija dhe të tjerë protestantë të sojit të tij në Shqipëri duhet të vizitojnë Shtëpinë e Bardhë dhe Amerikën dhe brohorasin pro disa vrasësish dhe tiranësh si presidenti Bush sa herë të duan, ndërsa unë duhej të frenohesha nga Irani? Inati më shtyu që të mposhtë pavendosmërinë dhe të shkoj.

Megjithatë, përveç shqetësimit me hafijet e Tiranës, fakti tjetër që më shtyu të mendohem përpara vizitës së Iranit janë edhe disa miq të mi muslimanë. Dy hoxhallarë psh. kur mësuan që do shkoja në Iran u shqetësuan për shëndetin e imamit tim nga ‘shiitët e rrezikshëm’ “safavidë” dhe “rrafidhi”. Ndërsa një mik i moshuar i cili më do të mirën dhe shqetësohet për të ardhmen e islamit në Shqipëri kur mësoi mbi shkollën time në Iran më urdhëroi: “Moooos! Mos shko në Iran pse do na fusësh në bela’ me Amerikën!” Mikut tim të moshuar i cili është rritur me frikë që në kohë të Enver Hoxhës dhe tani pas Enverit i del Amerika në ëndërr, unë ju përgjigja pak labçe dhe pasi i futa një kompliment Amerikës dhe zagarëve të saj në Shqipëri i thashë “Aman o … ne ku ta gjejmë që të jemi në bela’ me Amerikën. Pse po hymë në bela’, Amerika na pushton dhe pastaj na mban me bukë. Por halli është që ne Amerika na ka harruar dhe na trajton si lopë në këto kohë të kauro-kracisë.” Kështu pra, me gjithë këshillat e miqve, me fobitë që vizita e Iranit shkakton në mendjen e muslimanëve të shtypur, unë i thashë vetes; duhet provuar edhe Irani.

Për këto arsye në datë 2 shkurt, nisa vizitën time drejt vendit të cilin krimineli më i madh i krishterë i shekullit të 21-të, Xhorxh Bush e ka cilësuar si vendin kyç në tre vendet që ai cilësoi si Boshti i të Keqes – Axis of Evil (Irani, Iraku, Korea e Veriut). Me këtë fjali në kokë nisa të eksplorojë vendin për të cilin ushqehet aq shumë histeri në botën e Kryqit dhe Yllit të Davidit.

* * *

Vizitën time drejt Iranit e nisa nga Tirona, duke marrë linjën e Türk Hava Yollarit. Rrugës për në Teheran ndalova në Turqi, ku si gjithmonë, aty, i dhashë ‘selom’ zemrës së kalifatit tonë osmanlli, Stambollit, piva çaj allaturka me miq të vjetër dhe i dalldisur si i sëmuri i Bosforit, sodisja i magjepsur xhamitë hijerënda të qytetit ku Islami i sulltan Mehmetit qëndron ende i gjallë dhe vital mbi gërmadhat e Krishtërimit trinitar të Kostandinit. Avionin për në Teheran e morra në darkë vonë nga Stambolli. Në terminalin e aeroportit Atatürk pashë shumë iranianë që prisnin në radhë për të hipur në avion. Çfarë më bëri përshtypje këtu ishin dy gjëra. Në njërën anë disa iraniane ngjanin shumë me disa femra të rrugëve të Tiranës, që mbajnë barkun jashtë dhe ekspozojnë muskujt e tyre për të joshur djelmërinë, dhe në anën tjetër ishin baulet e mëdha që iranianët mbanin nëpër duar për të hypur në kabinën e avionit.. Pasagjerët iranianë dukeshin aq tahmaqarë saqë përveç valixheve me rraqe që kishin futur në bagazhin e avionit, në kabinë tërhiqnin torba të tjera me rraqe – thua se nuk kanë dalë kurrë më parë nga Irani. Pas mbërritjes në Iran dhe vizitës së Teheranit, kuptova që klasa e pasur iraniane e cila humbi pozitat e saja pas revolucionit islamik të Iranit, vuan aq shumë për ti ngjarë perëndimit – saqë tahmaja e saj për rroba “Made in Uest” shkon që nga blerja si të babëzitur të Armany “Made in Turkey”, te operacionet e shpifura të hundës që bëjnë në klinikat e Teheranit e deri në disa raste te ofrimi i kollajtë i seksit me çdo të huaj që i premton kësaj klase mundësinë për të prekur me dorë mirazhin e rremë të perëndimit dhe arratisjen nga Irani.

Por përveç iranianëve, linja Stamboll – Teheran ishte mbushur plot edhe me të huaj. Edhe pse perëndimi ne muslimanët na tremb nga të vizituarit e Iranit – në bord të avionit pashë disa dhjetra italianë, britanikë dhe ndoshta disa turikuqë amerikanë të cilët udhëtonin sëbashku me mua drejt ‘Boshtit të së keqes’. Prezenca e tyre në kabinën e avionit sikur më qetësoi disi. Duke parë disa anglishtfolës turikuq dhe inxhinierë italianë i dhashë ngushëllime vetes. Boshti i të keqes paska edhe disa kaurë – i thashë vetes.

Avioni i linjës turke mbërriti në Teheran rreth orës 2 të natës. Kur avioni preku tokën iraniane, çupkat iraniane të cilat në Stamboll ishin veshur si madam Çiljeta që i këndon të ndejturave të saja të mira, tanimë që erdhën në vendin e ajatollahëve, rregulluan pamjen, mbuluan muskujt e dalë, vendosën nga një shami në kokë, tërhoqën baulet e tejmbushura me rraqe Made in Turkey dhe dolën nga avioni si zonja të vërteta. Kur pashë këtë lloj transformimi të çiljetave iraniane në çupka dhe zonjëza shamikuqe dhe shamizeza, i thashë vetes; këtu në Iran duhet të vijë ndonjëherë edhe Çiljeta, zonja e parë e Francës rruspija Madam Sarkozi dhe kullerat e Kosovës që i këndojnë të ndejturave të çiljetave të botës sonë të degjeneruar. Irani dukej premtues.

* * *

Në Teheran mua më priste një djalë nga Universiteti, i quajtur Mehdi. Mehdiun fillimisht mezi e gjeta, pse ai më kërkonte gjetkë e unë prisja te informacioni i aeroportit. Ndërsa prisja Mehdiun një taksixhi që dinte anglisht, përpak sa nuk më kullufiti 90 EURO nga 30 EURO që bënte taksia. Gjithësesi vajzat me shami të informacionit ma gjetën Mehdiun dhe pasi na bashkuan bashkë ne nisëm rrugën për të shkuar drejt të universitetit misterioz që më priste në terrin e natës.

Me Mehdiun fola me duar e me këmbë, pasi ai si jexhuxh maxhuxhët, nuk merrte vesh asnjë gjuhë por vetëm persisht. Të dy hipëm në makinën e tij të modelit të vjetër iranian Samand dhe nisëm rrugën drejtë Kum-it, Vatikanit të shiizmit iranian. Gjatë rrugës së gjerë me tre korsi për në Kum, mua më mërziste fakti që, që nga do që hidhja sytë përreth shihja tabela në persisht. Doja të kuptoja se ku isha, çka shkruhej aty, sa kilometra rrugë na mbeteshin etj. Megjithatë shkrimet persisht, mua që kam kohë që nuk lexoj në gjuhën arabe – më acaronin. Më dukej vetja sikur isha në një planet tjetër. Gërmat arabe më dukeshin aq të huaja sa që i janë dukur edhe gërmat latine të huaja gjyshërve tanë në kohë të Haxhi Qamilit, kur ata u çuan në luftë kundër Fuqive të Krishtera të Evropës, të cilat ju hoqën me dhunë gërmat arabe muslimanëve shqiptarë dhe ju sollën gërmat latine për të shkruar shqipen. Në një raport që konsulli britanik në Durrës i çonte kryeministrit Eduard Grey në Qershor 1914, i tregonte që shqiptarët e Kavajës, Tironës, Durrësit, Shijakut, Elbasanit, Çermenikës dhe Gollobordës ishin rebeluar kundër Evropës, pse kaurët e Princ Vidit i imponuan shqiptarëve gërmat latine dhe ju mbyllën shkollat fetare. Në peticionin e tyre, muslimanët e Shqipërisë së Mesme i kërkonin Evropës që nëse gjuha shqipe do shkruhet ndonjëherë, ajo të shkruhet me gërma arabe dhe simbol i tyre kombëtar duhej të ishte hëna me yll dhe jo ai zogu i prapë – shqiponja me dy kokë që këta quanin – sorra e kaurërisë. Por Fuqitë e Krishtera, të cilat shqiptarët i trajtuan si lopë apo siç Markezi i San Xhulianos ka thënë se: “shqiptarët nuk janë njerëz aq të kulturuar sa të vendosin vetë për të ardhmen e tyre” – ju imponuan gjyshërve tanë gërma dhe simbole të krishtërimit.

Rrugës për në Kum ku unë vazhdojë të isha i trullosur nga pamundësia për të lexuar në persisht, mendoja mbi muslimanët shqiptarë të cilët u revoltuan kundër kaurëve të Evropës në 1914.. Kryengritja e tyre ndaj imponimit kulturor të krishterë nuk ishte vetëm fetare por ishte edhe një tronditje kulturore apo një ‘cultural shock’ si ai që po ndjeja unë në natën e thellë iraniane. Gërmat latine për ata ishin po aq të çuditshme sa gërmat persiane për mua. Por unë, përkundrazi nga shqiptarët në 1914 që u çuan në luftë për të ruajtur identitetin e tyre – nuk kisha obsion tjetër por të mësohem me realitetin.

Në Kum arrita në orën 3.40 të natës. Universiteti kishte një konvikt ku mua më çuan të fle në një dhomë me një hoxhë të ri iranian. Edhe pse pak i bezdisur nga kushtet jo shumë të mira, nuk kisha obsion tjetër por të bindem. Ditën tjetër nisa programin mësimor ku sipas planit të kërkuar më parë, nisa të marrë leksione mbi Islamin (që këtu lexohet shiizëm) dhe demokracinë.

* * *

Universiteti Ndërkombëtar i al-Mostafasë ndodhet në zemrën e Kumit. Kum-i për shiitët botërorë është qendra e tyre më e madhe e mësimit, transmetimit të dijes dhe ruajtjes se besnikërisë ndaj imamëve të ehlil bejtit. Pas Kumit, qëndra të tjera të rëndësishme për shiizmin botëror janë Naxhafi në Irak dhe Libani. Shiitët e grupacionit ithna’asharia (të dymbëdhjetët) besojnë se në fitnen e madhe që ndodhi në kohën e kalifit Ali, e drejta ishte në anën e Aliut dhe bijve të tij, Hasanit dhe Hyseinit. Edhe sot pas 1300 vjetësh shiitët i qëndrojnë besnikë imamëve shiitë të gjeneaologjisë së imam Aliut. Imami i fundit i shiitëvë ithna’asharia ka qënë imam Mehdiu i cili sipas shiitëve është fshehur 1200 vite më parë në qytetin e Samarasë në Irak. Ata besojnë se imam Mehdiu është i gjallë dhe sot është 1200 vjeçar por qëndron i fshehur, për të dalë në fundin e kohës, kur fitneja dhe degjenerimi i njerëzimit të ketë marrë përmasa shumë të mëdha. Në Kum shiitët ithna’asharia kanë edhe një xhami të madhe të cilën këta e quajnë Haram ku qëndron e varrosur hazreti Fatimeja, motra e imam Rezasë. Pranë kësaj xhamie shiitët kanë një sërë seminaresh të njohur me emrin Hausa, ku shkollarët e shiizmit vinë nga e gjithë bota dhe mësojnë. Në shiizmin ithna’ashari nxënësit e fesë ndahen në katër kategori. Kategoria e parë janë talebeislamët (nxënësit e fesë), më pas vinë hoxhatelislamët (të diturit e fesë), më pas ajatollahët (të cilët mësojnë dhe japin fetva) dhe në krye të tyre qëndrojnë merxhat apo ajatollahët madhorë – ozman. Në Kum ka rreth 12 merxha, në Naxhaf 3, dhe në Liban ka 1. I fundit është Ajatollah Fadlallahu. Fjala e merxhave për besimtarët shiitë është detyrim. Autoriteti i tyre mbi besimtarët është shumë i fuqishëm.

* * *

Ditën tjetër pasi fjeta dhe u çlodha nga rruga, vizitova xhaminë e hazreti Fatime Masumes. Xhamia e cila është me përmasa shumë të mëdha vizitohet nga mijëra shiitë përditë të cilët vinë nga Irani, Iraku, Pakistani, Azia Qendrore, Turqia dhe e gjithë bota. Xhamia në fjalë ishte e mbushur me shumë varre. Të vdekurit e kësaj xhamie varionin që nga hazreti Fatime Masumeja e deri te shehidët modernë të revolucionit islamik të Iranit. Shiitët në këtë xhami bënin dua (lutje) për të vdekurit dhe i kërkonin atyre ndihmë (shefaat). Unë si synit që jam këto sjellje normalisht që më habiti dhe mu duk vetja sikur isha në teqenë e Dervish Hatixhesë në Tiranë apo atë të Hydai Vakfit në Stamboll. Për më tepër më bëri shumë përshtypje që disa të vdekur ishin varrosur në tokë dhe mbi varrin e tyre kishte pllaka ku mund të hecje sipër tyre. Kjo më tmerroi.

I habitur më këto adete të huaja për ne, shoqëruesin tim iranian, e pyeta se përse shiijat i falen varreve. Ai mu përgjigjë që ne nuk i falemi varrit por ne bisedojmë me shehidët pse ata janë të gjallë dhe nuk kanë vdekur. Mua kjo përgjigje më bëri pak skeptik, megjithatë besimin e shiitëve, synitët nuk e kanë ndërruar dot për këto 1400 vitet e fundit; kështu që edhe për mua ishte e kotë të debatoja më tej. Më vonë në biseda që pata me disa shqiptarë në Teheran mësova që shumë shiitë i kërkojnë ndihmë të vdekurve. Ata më thanë që kohët e fundit një Mulla paska protestuar kundër këtij riti i cili i largon besimtarët nga adhurimi i Allahut dhe i çon në idhujtari. Këtë gjë ma tha edhe një hoxhë i cili shqetësohej që njerëzit e thjeshtë nuk i faleshin Zotit, por të vdekurve.

Miku im shiit me të cilin vizitova xhaminë, nga pyetjet që i bëja e kuptoi që unë jam syni dhe më pyeti se çfarë medhhebi kam. Këtë pyetje ma bënë edhe shumë iranianë të tjerë të cilët e kuptonin nga mënyra e faljeve që nuk isha si ata. Unë të gjithëve ju thoja që jam Islam apo musliman. Pse Islami ka ardhur në këtë dynja para shiizmit dhe synizmit. Nga bisedat që kam patur me miqtë e mi shiitë, kam kuptuar se ata besojnë se shiitët janë besimtarët e vërtetë muslimanë në këtë tokë. Njëri më tha që ne synitët shanim imam Aliun dhe Hyseinin. Unë ja mohova këtë gjë duke i treguar që ne e duam Ehlil Bejtin (familjen e profetit Muhamed) por thjeshtë që fitnen e kohës së Aliut dhe Muavisë e shohin si diçka që i përket të kaluarës. Ama për shiitët e kaluara jeton në të tashmen. Në xhamitë e tyre si psh. në Haramin e Kum-it por edhe në të gjithë Iranin dhe sidomos në muajin e Muharremit shiitët shkruajnë me gërma të zeza flamuj si “ja Ali”, “ja Hysein”, “ja Karbala” etj dhe shprehin besnikërinë e tyre ndaj familjes së Profetit Muhamed. Slloganet si ‘ja Hysein Mazllum’ (o Hysein i dhunuar) mbushin të gjithë Iranin dhe shkruhen nëpër flamuj të zinj. Përndryshe nga ne synitët që të kaluarën ja kemi lënë të kaluarës, shiitët ithna’asharija pjesë të besimit të tyre kanë vajtimin dhe shprehjen e besnikërisë ndaj Ehlil Bejtit dhe imamëve të tij. Kujtimi i masakrës së Qerbelasë i ndjek besimtarët shiitë kudo në jetën e tyre. Ajatollahët dhe hoxhatelislamët shiitë besnikërinë e tyre fetare e lidhin me këtë të kaluar e cila për ata vazhdon deri në daljen e imamit të fshehur. Për shiitët tradicionalë ne synitët perceptohemi si mëkatarë dhe tradhëtarë të Ehlil Bejtit.

Megjithatë jo të gjithë shiitët mendojnë si shiitët ithna’asharija. Gjatë qëndrimit tim në Universitetin e al-Mustafasë takova një shiit ismaili nga Pakistani. Këtë e takova në xhaminë Xhamkeran në dalje të Kum-it – të cilën shiitët ithna’asharija mendojnë se është ndërtuar me urdhër nga imam Mehdiu i cili i ka dalë në ëndër një besimtari në shekullin e 19të. Për shiitin ismaili, këta lloje shiitësh nuk vajtojnë për imam Hyseinin dhe as nuk presin imam Mehdiun si ithna’asharijat, pasi për ata, imamati vazhdon deri në ditët tona nëpërmjet linjës së imamëve ismailitë që sot përfaqësohen nga Aga Khani. Aga Khani sot jeton në Francë, ka një seri fondacionesh dhe organizatash dhe që aty drejton shiitët ismailitë.

* * *

Fakti që e bën Iranin një nga vendet më interesante të botës islamike nuk është shiizmi, dhe interpretimi jo-tradicional i islamit, i cili gjendet në shumë anë të globit; por është Revolucioni Islamik i Iranit. Revolucioni Islamik i Iranit që ndodhi në vitin 1979 ka tronditur rëndë shiizmin tradicional dhe të gjithë botën e Islamit. Kur imam Khomeini erdhi në pushtet pas revoltës popullore në Iran kundër pushtetit të Shahut, shiitët ithna’asharija u pajisën me një shtet që drejtohet nga mullahë dhe ajatollahë. Edhe pse në të kaluarën në Iran ka pasur një seri dinastishë shiite, ku më e spikatura është ajo e safavidëve e cila edhe imponoi shiizmin në vend kundër synizmit, Revolucioni Islamik i Iranit ka tronditur rëndë dogmën shiite e cila që prej 1200 vitesh ishte mësuar të jetë në opozitë ndaj çdo regjimi dhe presë ardhjen e imamit të fshehur. Krijimi i Republikës Islamike të Iranit erdhi për botën shiite sa si sihariq aq edhe si tronditje.. Imam Khomeini, rehberi (udhëheqësi) i Republikës Islamike përpara fitores së revolucionit nuk ka menduar ndonjëherë, që një ditë, shiitët do të bëheshin drejtues të një supershteti si Irani. Arsyeja pse populli iranian u rebelua kundër Shahut në vitet 1970 ishte se ky ishte bërë vegël e amerikanëve, dhe iranianët trajtoheshin si kafshë nga regjimi i asaj kohe. Në vitet 70-të si pasojë e krizës ekonomike botërore dhe rënies së çmimit të naftës, klasa punëtore iraniane dhe populli u revoltua kundër pushtetit të Shahut. Në revoltë mori pjesë klasa punëtore, revolucionarët komunistë dhe më në fund edhe vetë ajatollahët dhe besimtarët shiitë. Shahu i cili komandohej nga amerikanët, arriti deri aty sa të laicizojë vendin dhe përjashtojë Islamin si fe zyrtare të Iranit dhe të shpikë mitet e Persisë së Lashtë dhe Dariusit të Madh si idhuj modernë të laicizimit dhe perëndimorizimit të vendit. Përjashtimi i Islamit nga identiteti i njerëzve dhe imponimi i miteve persiane është një shembull që ne gjejmë që perëndimorët kanë zbatuar në shumë vende muslimane. Ne në Shqipëri psh. në këto ditë po dëshmojmë ende luftën që mitet e Skënderbeut dhe ilirëve dhe pellazgëve dhe slloganet tip “feja e shqiptarit asht shqyptaria” bëjnë me identitetet globalizuese të Shqipërisë pas-komuniste. Por në Iranin e viteve 1970, shpikja e “skënderbejve dhe persianëve antikë” për të përjashtuar Zotin nga identiteti kombëtar iranian, nxiti revoltën e hoxhallarëve dhe intelektualëve iranianë si Ali Sheriati të cilën nuk mund të pranonin këtë poshtërim.

Por me fitoren e revolucionit islamik, shiitët e Iranit, për herë të parë në historinë e shiizmit botëror u gjendën në dilemë të madhe; dilemën e pushtetit. Shiitët kanë organizuar disa revolucione në historinë e Islamit, që nga revolucioni abasid e deri te ai fatimid. Megjithatë abasidët u sunitizuan shpejt pasi erdhën në pushtet, ndërsa fatimidët e Egjiptit ishin shiitë ismailitë. Por për më tepër, revolucioni islamik i shiitëve të Iranit ndodhi në kohët moderne, kur tashmë shteti nëpërmjet edukimit masiv, centralizimit të pushtetit, modernizmit të vendit etj identitetin e tij e imponon shumë më fuqishëm sesa bënin kalifatet islamike në kohët e arta të Islamit. Personat që bënë revolucionin islamik të Iranit ishin komunistë, socialistë dhe islamistë dhe hoxhallarë të cilët kishin vuajtur rëndë nga shtypja e Shahut dhe amerikanëve. Por pas fitores së revolucionit frenat e pushtetit i morën hoxhallarët. Imam Khomeini i cili përpara revolucionit nuk kishte menduar që do të bëhej me shtet, tashmë, u përball me dilemën e madhe; të ja linin shtetin komunistëve afetarë apo ta mbanin vetë? Ta lejonin Iranin që të qeverisej nga një Sadam Husein apo nga ata? Mullahët revolucionarë përqafuan idenë e fundit dhe Republikën Islamike të Iranit e ndërtuan si një shtet islamik.

Megjithatë problemi i shiizmit me Republikën e Iranit qëndron në faktin e legjitimitetit teologjik të këtij realiteti. Sipas shkollarëve tradicional shiitë, shiitët duhet të durojnë padrejtësitë deri sa të vijë imami i fshehur. Por ajo që imam Khomeini bëri, shkon përkundër mësimeve tradicionale shiite. Imam Khomeini për shiitët erdhi tamam siç erdhi Jezu Krishti për farisejtë dhe saducejtë çifutë, me reforma ndaj ligjit të vjetër të fesë. Për këtë arsye shiitët e sotëm janë në një dilemë aq të madhe mbi shtetin e tyre, sa ishin çifutët në kohën e ardhjes së Krishtit. Rabinët çifutë prisnin ardhjen e Mesisë, ama kur ai erdhi, këta thanë që ky nuk është Krishti por një mashtrues. E njëjta gjë ndodh edhe në Iran. Një grup i madh ajatollahësh tradicionalë shiitë e refuzojnë konceptin e Republikës Islamike të Iranit dhe pushtetin e fakihut (vilajetin e Fakihut) që imam Khomeini përdori për të legjitimuar fetarisht krijimin e RI të Iranit dhe presin fundit e dynjasë kur të shfaqet Imam Mehdiu. Sipas shumë shkollarësh shiitë Vilajeti i Fakihut është një bidat dhe mëkat aq i madh sa është edhe kalifati i Ebu Bekrit, Umarit dhe Osmanit pas Profetit Muhamed. Si rjedhojë sot në Iran dhe në botën e shiizmit, shiitët janë të ndarë në dy grupe kryesore; një palë i gëzohet ekzistencës së Iranit si shtet shiit. Ndërsa pala tjetër – ashtu si çifutët që janë kundër shtetit të Izraelit – nuk e pranojnë krijimin e tij mbi baza teologjike.

Shumë ajatollahë, hoxhatelislamë dhe merxha (krye-ajatollahë), si psh. Ajatollah Sistani i Irakut, Fadlallahi i Libanit dhe Vahid Khorasani i Kumit, refuzojnë të pranojnë republikën e sotme si fetarisht korrekt. Disa të tjerë abstenojnë. Ndërsa disa të tjerë mallkojnë mullahët dhe ajatollahët që janë bërë pjesë e qeverisë së Republikës Islamike dhe thonë që rroga që ata marrin dhe puna që ata bëjnë është harram. Shumë të tjerë akuzojnë mullahët që mbajnë shtetin iranian se janë konvertuar në synitë.

* * *

Dilema e Republikës Islamike të Iranit për të legjitimuar veten e saj fetarisht ka marrë përgjigje me përdorimin e pan-islamizimit. Kur dikush viziton Teheranin sheh që shumë rrugë të kryeqytetit iranian kanë emra reformatorësh synitë. Kështu dikush sheh në Iran rrugën Hasan Al Benna, Seid Kutub etj. Nëpër rrugët e Iranit lufta e palestinezëve në Gaza shoqërohet me postera të mëdhenjë ku tregohet ose gjaku i palestinezëve synitë ose Rehberi i Republikës Islamike, Ajatollah Khamenei duke u përqafuar me shefin e Hamasit, Khalid Meshaal. Diku më tej kur dikush shkon në sheshin e Palestinës, sheh një përmendore në bronx të herojve palestinezë që luftojnë kundër Izraelit dhe piktura murale ku palestinezët portretizohen në pozicione heroike, si Vojo Kushi dhe partizanët që portretizoheshin te ne në Shqipëri në kohë të komunizmit. Nëpër publikimet iraniane, revolucioni islamik i Iranit tregohet si kulminuesi i lëvizjeve revolucionare në botën islame kundër kolonializmit kristian, të cilat nisin në kohën e sulltan Abdylhamitit me Xhemaludin Afganin (që këta e iranianizojnë dhe e quajnë Asadabadi), vazhdojnë me Hasan al-Benën dhe Seid Kutubin dhe kulminojnë me revolucionin e Imam Khomeinit. Në ditët e para kur mbërrita në Iran pashë që gazetat vendase buçisnin me lavdet e tyre për kryeministrin Erdogan i cili ofendoi në Davos kryeministrin Izraelit. Kryebashkiaku i Teheranit e shpalli sadrazëmin tonë turk, qytetar nderi.

Lidhja që shiitët revolucionarë i bëjnë revolucionit të tyre me lëvizjet në botën synite, kuptohet qartë kur dikush flet me intelektualë iranianë në Teheran. Me njërin që unë pata rastin të bisedojë gjatë, ky më ankohej pse shiitët nuk falen aq shumë sa sunitët, pse sunitët janë më fetarë se shiitët dhe frekuentojnë më shpesh xhamitë etj. Unë ju përgjigja me të qeshur, që ju duhet të bëheni synitë, pse ne synitët kemi 1400 vite histori qytetërimi në shpinë dhe e dimë më mirë sesi punon feja. Abstenimi që shumë shiitë i bëjnë namazit të xhumasë, mos falja e namazeve në kohë (por bashkimi i tyre në tre namaze), ndikojnë shumë në identitetin fetar të njerëzisë. Kushdo që ka vizituar Turqinë, Arabinë Saudite dhe shumë vende të tjera dhe i krahason këto me Iranin arrin në konkluzion që populli në Iran është më pak fetar sesa turqit dhe arabët. Ky konkluzion për dikë mund të jetë paksa i nxituar, por për mua, demostrimi i fesë që bëhet nga synitët gjatë faljes së xhumasë tregon masivitetin e fetarizmit të tyre.

Por edhe pse zyrtarisht Irani e portretizon veten e tij si kampion të lëvizjeve anti-kolonialiste në botën e islamit, në Teheran por edhe në të gjithë Iranin synitët nuk gjejnë trajtimin që kanë shiitët. Në Teheran për shembull synitët nuk kanë asnjë xhami synite por vetëm disa mesxhide. Një iranian të cilin e pyeta pse nuk i lejoni synitët të kenë xhamitë e tyre në Teheran (siç kanë në provincat synite) ai më tha: “eh … ne shiitët jemi bërë si zionistët. Ne besojmë se vetëm ne jemi në fenë e drejtë, ndërsa të gjithë të tjerët janë në të gabuarën.” Ndërsa një tjetër më tha “po edhe në vendet arabe shiitët persekutohen.” Por për mendimin tim, arsyeja pse në Teheran synitët nuk lejohen të hapin xhami lidhet me tensionin e brendshëm politik që ekziston në Iran ndërmjet revolucionarëve shiitë dhe inteligjencës së Teheranit e cila është më e hapur ndaj botës synite, dhe konservatorëve shiitë të Kum-it të cilët në shumë raste – siç ishte rasti kur presidenti Ahmetinexhat kërkoi të lejojë vajzat që të shkojnë në stadium – akuzojnë pushtetarët për herezi dhe filosynizëm.

* * *

Gjatë vizitës time 12 ditore në Iran e kam ndjerë veten shumë të turbullt dhe më dukej sikur isha në ëndër. Arsyeja është se në Iran çdogjë apo ndoshta shumëgjë është ndryshe nga bota ku ne jetojmë dhe jemi mësuar të rrimë. Iranianëve më të cilët bisedoja, ju tregoja që mua Irani më duket sikur ekziston në një planet tjetër. Në Iran mullahët dhe ajatollahët drejtojnë çdogjë. Ata drejtojnë shkolla, universitete, biles deri në fabrika që prodhojnë makina. Ditët e javës këtu ecin sipas modës islamike, ku e enjtja dhe e premtja janë pushim kurse e shtuna dhe e djela janë ditët e para të javës. Në Iran viti është 1387, muaji ishte bahman, kalendari që këta përdorin është shemsi (diellor) si romaku që ne përdorim, por siç këta thonë është shpikur nga Omar Khajami dhe jo nga Augusti romak dhe ka 622 vite diferencë me perëndimorin. Në Iran, shteti ka futur islamin në çdo aspekt të jetës. Në shkolla, në uzina, në fabrika, në rrugë, në autostrada, në aeroporte, në gazeta, libra etj nga do që të kthehesh sheh islam. Në rrugën Kum – Teheran psh. dikush lexon të shkruar nëpër malet e shkretëtirës që lidhin dy qytetet bashkë sllogane masive si “La ilaha il Allah”, “Muhamedur Resulullah”, “Ali Velijullah”, “SubhanAllah”. Kur shkon nëpër universitete sheh ngado nëpër programet e tyre lëndë islame. Në gazetat e vendit edhe pozita edhe opozita sulmohen dhe mbrohen me islam. Pastaj nëpër rrugë dikush sheh vetëm posterë të Ajatollah Khomeinit dhe Khameneit dhe klerikëve të tjerë shiitë, si Shehid Mutahari etj.

Ne muslimanët apo ndoshta ish-muslimanët që rrojmë në Evropë jemi mësuar që posterat tanë ti zënë ose femrat që reklamojnë mallra dhe thonë “catch my beast”, ose fytyrat e Berluskonëve dhe “Berishës më duar të pastra”, ose halabakëve si Edi Rama që janë kukulla të ambasadave perëndimore, apo në kohë të PPSH-së unë mbaj mend që shihja postera të Marksit, Engelsit, Leninit dhe Stalinit. Kohët e fundit ne kemi parë shpesh edhe postera si psh. “uelcome president Bush” apo “dhjetë vite pa dhe dhjetë ditë me Nënë Terezën”. Por që ndonjëherë do të shihja në jetën time postera me hoxhallarë me mjekra që mallkojnë imperializmin dhe Amerikën unë këtë kurrë nuk e kam imagjinuar ndonjëherë. Këta imamë të frikshëm dhe hijerëndë që inspirojnë revolucionarët iranianë kundër imperializmit për mua krijonin një “shock” shumë të thellë ndaj gjithëçka që unë jam mësuar të mendoj deri më tani. Imamët e revolucionit islamik iranian janë një miksje ndërmjet nacionalizmit, modernizmit, të shenjtës, shekullares dhe islamizmit, të cilin unë e kam pak të vështirë ta perceptoj sesi funksionon. Nga që unë vija nga një planet tjetër, ndërthurja e të shenjtës me tokësoren me bënte shumë konfuz.

Irani duket që i përket një planeti tjetër edhe nga mënyra e jetesës. Vendi është jashtëzakonisht i pasur, por edhe i shkretë. Rruga psh. përreth Teheranit, Kumit, aeroportit Imam Khomeini etj janë shkretëtirë. Qyteti i Kumit psh është i rrethuar nga një shkretëtirë e frikshme. Toka e shkretëtirës ka kripë dhe si pasojë edhe uji i Kumit është i papishëm dhe me kripë. Kur shihja këtë shkretëtirë e cila i ngjan asaj të Arabisë Saudite unë pyesja veten sesi është e mundur që raca njerëzore jeton këtu? Por ndërsa dikush sheh shkretëtirën përqark, kur hyn në qytete, si psh në Teheran i cili në disa lagje duket shumë më i pasur edhe sesa shumë lagje të Evropës, dikush habitet dhe pyet se nga vjen gjithë kjo pasuri? Ndërsa në Evropë dhe Shqipëri kohët e fundit ka pllakosur kriza, qendrat komerciale të Teheranit gati sa nuk çahen nga numri i madh i blerësve. Në anën tjetër çmimet e shumë shërbimeve dhe produkteve në Iran janë tmerrësisht të lira. Kështu psh. një litër benzinë kushton rreth 10 cent dollari apo 10 lekë të reja shqiptare, ndërsa në Shqipëri dhe Evropë litri shkon te rreth 1.50 EURO.. Lirësia shihet edhe në çmimin e rrobave të cilat janë gjysma apo edhe më shumë e atyre që ne kemi në Ballkan, të çmimet e shërbimeve telefonike, transporti publik etj. Si pasojë e çmimit të ulët të benzinës dhe mungesës së transportit të mirë publik, rrugët vlojnë nga makina private dhe motorë, të cilët krijojnë një trafik të llahtarshëm, shumë zhurmë dhe ndosin ajrin shumë.

* * *

Në Iran prej disa vitesh jetojnë edhe disa shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Disa prej tyre janë synitë. Disa të tjerë jofetarë. Ata kanë ardhur për shkolla këtu në mënyrë private, nga bektashitë dhe organizata të ndryshme dhe tashmë kanë ngelur në Teheran ndërsa përjetojnë luksin ekonomik të vendit. Disa prej tyre që punonin për IRIB-in gëzonin një jetë për tu patur zili, të cilën shqiptarët në perëndim nuk e arrijnë kurrë. Megjithatë të shkretët shqiptarë që takova mu qanë për kërcënimet që marrin nga organet e sigurisë në vendet e tyre, të cilat për sa herë që këta shkojnë në atdhe i kërcënojnë pse jetojnë dhe punojnë në Iran. Kur gazetarët në fjalë më tregonin për llojet e kërcënimeve që marrin në vendet e tyre në Ballkan – nisa të mendoj për trajtimin që marrin në vendet tona gazetarët e Zërit të Amerikës. Këta të fundit edhe pse shpesh thonë njëmijë horllëqe dhe i bëjnë iso Ismail Kadaresë, Dom Lush Gjergjit etj që kërkojnë të kaurizojnë me dhunë dhe poshtërojnë shqiptarët; në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni priten sikur të jenë komandantë çlirues nga Amerika. Kurse djemtë dhe vajzat e pafaj që punonin në Teheran për IRIB-in kërcënohen sikur të jenë kriminelë dhe jo gazetarë. Gazetarët e IRIB-it ishin aq të frikësuar nga organet policore në Ballkan saqë më kërkuan që në përshtypjet e mia që do bëja për Iranin emrat e tyre ti mbaj sekret. Ndër të tjera ata edhe më pyetën sesi guxoja unë, dhe si është e mundur që jam ende gjallë kur në shkrimet e mia (të cilat ata i lexonin shpesh) e kam bërë për adet që një e dy të shajë Amerikën. Pasi i futa një kompliment labçe Bushit dhe Amerikës, i kurajova që të mos kenë frikë, por të bëhen guximtarë dhe besimtarë në demokraci dhe fjalën e lirë, edhe nëse spiunërit i kërcënojnë dhe kërkojnë që t’i heshtin me çdo mënyrë. Kaderi ynë qëndron në dorë të Allahut dhe jo të spiunërve dhe vagabondëve të Amerikës në Ballkan. Dhe për më tepër Evropa në të cilën ne jetojmë është një kontinent i demokracisë dhe fjalës së lirë.

 

* * *

Në Iran shteti është republikë dhe pretendon të funksionojë si një demokraci teokratike. Me disa intelektualë iranianë me të cilët debatova konceptet e demokracisë ata më thanë që ata nuk besojnë në humanizëm dhe në vlerat perëndimore. Disa filozofë, Iranin e shohin si një utopi islamike sipas shembullit të Shën Akuinit të qytetit të Zotit. Sipas mullahëve – filozofë të Republikës Islamike, shteti që këta kërkojnë të ndërtojnë synon që të prodhojë njeriun perfekt (insan al-kamil) i cili do të ndërtohet nga republika islamike dhe finalizohet në perfekshmëri me ardhjen e imamit të fshehur, imam Mehdiut. Për këtë arsye pushteti në Iran imponon Islamin mbi popull – duke futur këtu veshjen e detyrueshme të shamisë (të cilën unë e refuzoj si absurde dhe që shkon kundër mësimit islam), mësimin e islamit nëpër shkolla, fabrika dhe në të gjitha hapësirat publike të Republikës. Megjithatë nga vizitat e mia në Teheran unë besoj se mullahët po dështojnë tmerrësisht me islamizimin e popullit të tyre. Në kundërshtim me hoxhallarët tanë synitë që që nga Shqipëria e deri në Indonezi janë popull i thjeshtë dhe fukara dhe punojnë me popullin në bazë, vuajnë me ata dhe gëzojnë me ata, hoxhallarët iranianë të llastuar nga pushteti që kanë marrë pas revolucionit, rrinin nëpër zyra dhe mendonin se populli mund të islamizohet me ligje dhe me imponime nga lartë. Gjendja e inteligjencës dhe popullit në Teheran mua më krijonte një Deja Vu ndërmjet kohës së Abdylhamitit II; kur në Stamboll sulltani i mirë turk mundohej të edukonte popullin me islam që nga lartë, dhe në anën tjetër të realitetit osman nëpër shkolla dhe rrugë ku hoxhallarët mungonin për të përçuar dëshirën e sulltanit dhe në anën tjetër ishin freemasonët xhon turq ata të cilët kishin konvertuar pjesë të mëdha të shoqërisë të besojnë që sulltani ishte tiran dhe islami i dëmshëm. Situata e Iranit sot i ngjan shumë perandorisë në ditët e fundit të Abdylhamitit. Në universitetet iraniane ka një rebelim të fortë kundër pushtetit të mullahëve. Intelektualë iranianë si Soroush, Mohsen Kadivar etj nëpër universitetet e vendit sulmojnë mullahët dhe utopinë e tyre dhe kërkojnë liberalizimin e vendit. Për këtë ata mbështeten fuqishëm nga bursa dhe të drejta studimi që u ofrohen nga Perëndimi, ndërsa në vend opozita kundër pushtetit të mullahëve përfaqësohet nga grupi i ish-presidentit Muhamed Khatami i cili kërkon të ndryshojë natyrën e shtetit të ndërtuar nga imam Khomeini.

Gjithësesi për sa i përket natyrës së pushtetit, në ndryshim me ne synitët që besojmë në sulltanat dhe kalifat, ku më i devotshmi apo i forti mund të marrë pushtetin, shiitët besojnë se sunduesi duhet të zgjidhet vetëm nga imamët shiitë. Teologjia që imam Khomeini zhvilloi përpara bërjes së revolucionit islamik në Iran është që ndërsa në botë imam Mehdiu rri i fshehur, atëherë është detyrë e fukahave (juristëve të ligjit islam) që të kalojnë kufijtë e tyre tradicional (ku këta merren me çështje civile, si martesa, dënime etj) dhe fukahai të bëhet edhe drejtues i shtetit. Khomeini zhvilloi konceptin e Vilayah Mutlaka al Fakihut apo pushtetit total të fakihut. Me këtë ide ai ndërtoi institucionet e Republikës Islamike të Iranit.

RI e Iranit funksionon pak a shumë si një republikë parlamentare. Në krye të shtetit qëndron Rehberi (udhëheqësi apo imami) i cili zgjidhet nga këshilli i fukahave. Poshtë tij qëndron presidenti i cili zgjidhet nga populli por që në fakt drejton qeverinë dhe sillet si kryeministër i republikës parlamentare. Qendër tjetër autoriteti është parlamenti (mexhilisi shura) i cili zgjidhet nga populli dhe aprovon ministrat e presidentit. Përveç këtyre republika ka edhe disa organizma të tjerë, si psh. Këshilli i Rojeve që përbëhet nga 6 fukaha dhe 6 juristë dhe mbi të gjitha Asambleja e Ekspertëve e cila zgjedh përplasjet ndërmjet presidentit dhe parlamentit. Por në Iran parlamentarët nuk mund të jenë njerëz dosido. Këta duhet të aprovohen më parë nga fukahatë për vlerat e tyre islamike, përpara se të kandidojnë si deputetë në parlament. Me pak fjalë Irani mund të definohet si një republikë demokratike ku pushtetin e kanë mullahët dhe njerëzit që dëshmojnë besueshmëri ndaj vlerave islamo-shiite.

* * *

Gjatë qendrimit tim rreth 12 ditorë në Iran unë vizitova një seri institucionesh të “besimit civil” të Republikës Islamike të Iranit. Këtu sjell ndërmend mazoleumin e imam Khomeinit në Beheshti Zahra, Haramin e Kum-it ku në hyrje të tij qëndronin portrete të rehberëve të Republikës Islamike, varrezat e dëshmorëve kombëtarë iranianë gjatë luftës Iran – Irak dhe normalisht që në ditën e parafundit të qëndrimit tim në Iran, shkova në qytetin e studentëve të Teheranit për të falur namazin e xhumasë.

Namazi i Xhumasë për shiitët iranianë nuk është farz (i detyrueshëm) siç e kemi ne synitët. Për ata xhumaja është namaz politik, i cili, deri në kohën e shfaqjes së imam Mehdiut nuk është i obligueshëm por opsional. Megjithatë kureshtja që kisha për të parë faljen e xhumasë shiite më çoi që në 13 shkurt, ditën e premte të shkojë në qytetin e studentëve të Teheranit për të parë sesi falet xhumaja. Këtu duhet të pranojë që më habiti fakti se xhumaja falej në një shesh shumë të madh, dhe për më tepër falja nuk bëhej siç bëhet nga ne synitët ku hoxha flet dhe populli dëgjon. Këtu besimtarët kishin një interaksion me hytbe mbajtësin, ku sa herë që ai përmendte emrin e Profetit Muhamed populli binte në salavat me zë të lartë; apo kur imami shante imperialistët amerikanë, populli brohoriste me grushtin në formë goditëse me sllogane tip: Merg Ber Amrika, Merg Ber Israil, Merg Ber Inglis (vdekje Amerikës, vdekje Izraelit, vjekje Anglisë). Edhe pse ne fytyrat e shume brohoritësve unë shihja të qeshura, që tregon se ata nuk i kishin përnjëmend deklaratat e tyre, sërisht deklaratat e tyre ishin shumë serioze dhe kur sjell nëpërmend dobësinë e Iranit përpara Amerikës, deklaratat në fjalë më dukeshin të dëmshme për fraxhilitetin e Republikës Islamike.

Një nga temat kryesore të xhumasë në të cilën unë mora pjesë ishte edhe zhvillimi teknologjik i Iranit. Në ditët kur unë isha në Iran, iranianët përkujtuan 30 vjetorin e revolucionit të tyre kundër Shahut. Këtu edhe pse pjesë të mira të popullit nuk e pëlqejnë regjimin aktual, për çudinë time, ditën e revolucionit rrugët u mbushën me mijëra njerëz – besimtarë dhe laikë – të cilët përkujtonin fitoren e 30 viteve më parë. Në ditën e revolucionit por edhe në xhumanë në fjalë, iranianët i gëzoheshin faktit që disa ditë më parë këta kishin lëshuar në hapësirë një satelit të bërë nga vetë iranianët të quajtur Omid – Shpresë. Siç edhe fjala Shpresë tregon, për iranianët progresi teknologjik sidomos në fushën ushtarake shihet si shpresa e vetme që Republika Islamike e Iranit ka për të ruajtur pavarësinë e vendit të tyre dhe mospërfundimin e Iranit në një shtet kukull siç janë vendet e tjera të Gjirit Persik. Kjo temë përsëritej në pjesën e dytë të xhumasë që unë dëgjova. Duke qenë se Irani sot jeton nën një seri embargosh dhe sulmesh ideologjike nga perëndimi, mentaliteti i rrethimit që mbizotëron në mendjen e drejtuesëve të RI të Iranit i shtyn këta që të bëjnë çdo gjë që është në mundësinë e tyre që të sigurojnë mbijetesën e republikës.

* * *

Qendrimit tim 12 ditor në Iran i erdhi fundi në datë 14 shkurt 2009. Natën e ditës vijuese pasi qëndrova në Teheran me miqtë e mi shqiptarë, mora sërisht Turkish Airlinesin dhe me atë u ktheva sërisht në Stamboll nga ku do të lidhesha më pas me linjën e Tiranës për të ardhur në Shqipëri. Ndërsa isha në Stamboll, unë ndoqa ritualin tim të zakonshëm. Piva çaj buzë Bosforit, dhe më pas takova disa hoxhallarë nga Shqipëria dhe Maqedonia të cilët kishin marrë pjesë në një konferencë për Gazën. Me këta të Shqipërisë, mora rrugën për në Tiranë. Kur mbërritëm në aeroportin Nënë Tereza në Tiranë, murgeshë Tereza që si duket ishte bërë xhind nga xhelozia me kureshtjen time për të vizituar vendin e hoxhë Khomeinit, në Rinas na kishte çuar rreth 5 zabitë dhe hafije të drejtuar nga Ervin Dalipi të cilët sapo ne dolëm në tokën shqiptare na shoqëruan për në stacionin e policisë të Rinasit, ku aty na zbërthyen çantat dhe xhepat dhe rrobat e trupit për të parë se mos kishim sjellë ndonjë imam apo sulltan apo helbete ndonjë nga ato bumjet e Ahmetinexhatit nga Irani, për të cilat nuk i zë gjumi kaurët e Amerikës. Dilemat dhe fobitë që unë kisha përpara vizitës sime për të vizituar “Boshtin e të keqes” provuan të ishin të vërteta. Në boshtin e poshtërsisë ku sundojnë mullahët e krishterë të Perandorisë Amerikane, ne shqiptarët duhet ti nënshtrohemi kontrolleve policore nga kalecët shqipfolës që i shërbejnë lepe dhe peqe vëllait tonë të madh judeo – kristian. Kalecët e Rinasit që siç duket ishin njoftuar mbi mbërritjen tonë nga “Boshti i së keqes” kohë më parë, na pritën në Rinas në mënyrë kërcënuese dhe vigjëlente, si për të na treguar që këtu në Shqipëri, kulaçin dhe kërbaçin nuk e kontrollojnë hoxhallarët dhe ajatollahët e tmerrshëm si në Iranin e largët dhe as sulltanët e Bosforit, por nënëterezistët e krishtërimit amerikan. Duke qenë koshient i tiranisë kristjane që ekziston në vatanin tim, unë bashkëpunova bindshëm me hyzmetqarët e vëllait tonë të madh. Hapa xhepat dhe çantat për ti provuar hafijeve të vëllait të madh që në Boshtin e të Keqes isha thjeshtë si vizitor kureshtar dhe tani pas ardhjes në Boshtin e Poshtërsisë isha i gatshëm që si një dhimi i bindur ti bindem tiranisë së vëllait të madh.

T’u rritë jeta o vëlla i madh që na ruan nga Boshti i të Keqes ditë e natë! Pa ty do të na kishte shuar fare. T’u bëftë dita një mijë ja Rabi!

 

This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s