M I K A I L I

Nga: Olsi Jazexhi

1.

Ne date 22 maj 2024 ne Guanzhou te Kines vdiq miku dhe vellai im musliman, Mikaili. Emri i Mikailit ishte Dionis Çaçi. Dionisi apo Dhionisi sikur e shqiptonte emrin e tij Mikaili, ishte me origjine greke. I ati Thomai, minoritar grek kishte vdekur ne vitin 1993 ne Greqi. Denisin (sikur e njihnin shume) une e kam njohur ne vitin 1993 apo 1994. Ne ate kohe une isha bere musliman dhe kisha nisur te falem ne xhami dhe gjithe djemte e lagjes i merrja ne xhami ku u mesoja Islamin. Ne ato kohe Denisi jetonte prane gjimnazit Myslym Keta ku une beja shkollen e mesme dhe ai ishte “cun lagjeje”. Nuk e mbaj mend sesi e kam njohur Denisin saktesisht, por di vetem qe e kam ftuar te vij ne xhami. Denisi kishte lindur me nje nishan te madh ne fytyre, dhe shume njerez e paragjykonin kur e shikonin. Mbaj mend qe kur e kam takuar kishte paragjykim edhe ai per veten.

Edhe pse vinte nga nje prind me origjine ortodokse, Denisi erdhi ne xhami. Filloi te mesoje per Islamin, lexoi Kuranin dhe u be besimtar i vendosur i Allahut dhe Muhamedit. Denisi kishte nje ze shume te bukur dhe ne ate kohe kur une sherbeja si “hoxhe” part time i xhamise, e vura te behet muezin. Ai mesoi azanin dhe e therriste perdite nga minareja e xhamise per popullin e Kombinatit qe ti falej Allahut. Ne ate kohe xhamia jone ne Kombinat nuk kishte altoparlant dhe keshtu azanin shpesh e therrisnim si muezinet e kohes se Muhamedit a.s.. Ngjiteshim ne minaret.

Mesuesit e pare te Islamit per Denisin isha une, dhe nipi i Haxhi Qamilit, hoxhe Jashar Xhameta, nje burre trim dhe besimtar nga Sharra. Kishte edhe mesues te tjere sikur Mexhiti, Aliu dhe banore te tjere te Sharres te cilet kishin ruajtur Islamin ne fshehtesi ne kohe te komunizmit. Riti fetar qe ne ndiqnim ne xhamine e Kombinatit nga viti 1993 deri ne 1996 ishte hanefizmi. Katundaret e Sharres, xhamine te cileve ua beri dhurate nje fondacion kuvajtian i drejtuar nga palestinezi Abdul Latif Saleh (te cilin amerikanet e debuan nga Shqiperia ne 1999 si terrorist), e shikonin si dhuraten me te madhe qe Allahu mund ti jepte atij grupi me pleq qe kishin arritur te mbijetonin terrorin 50 vjecar komunist te regjimit te Enver Hoxhes, Josif Pashkos dhe Kristaq Rames.

Katundaret e Sharres me ne krye Jasharin, Mexhitin, Aliun, Rexhepin etj i ndertuan xhamise mafilin e grave dhe e mirembanin me sa kishin mundesi. Por keta besimtare hanefij do te merziteshin me ne te rinjte, qe do u vehabizonim nga mesimet saudite dhe ndalonim berjen e tespijeve me xhemat ne xhami sipas ritit turk. Xhamine tone do e quanin “xhami biftonjsh”. Disa prej tyre, sikur Jashari me pas do refuzonte te falej ne xhami, pasi do thoshte qe “arabet kane ardhur per ta prishur fene”. Xha Jashari kishte te drejte por shume prej nesh ne ate kohe nuk e kuptonim.

2.

Vitet 1990 ishin vitet me te bukura per shume shqiptare qe i mbijetuan komunizmit. Rrezimi i regjimit ne vitin 1991 e kishte cliruar Kombinatin nga fuksat e komunizmit. Njerez sikur Dashamir Brace (kryetari i frontit demokratik, babai i Erion Braces) dhe Ylli Cano (babai i shefes se shtabit te Edi Rames dhe drejtori gjirokastrit i shkolles 8 nentori) nuk kishin me pushtet. Cunat e Kombinat, qe nga Dardan Gostivari, Men Gelldoqi, Tit Karpja, Toni i Kiles, Lul Xaxi, Arjan Hoxha, Kol Baxhella, Ilir Kaloshi, Qorri i Bules, Dash Tahiri, Ilir Muca, Lani i Ishes e deri te Sandri i Kules dhe shume te tjere qe nuk i mbaj mend sot, kishin shkaterruar cdo institucion te pushtetit komunist. Policia ne vitet 90 ishte kthyer ne nje bande bashibozukesh, e cila kishte frike nga populli.

Ne anarkine dhe kaosin qe do krijohej ne Tiranen e viteve 90, katundaret e Sharres, qe regjimi komunist i kishte shtypur, perbuzur, mbajtur si bujkrober ne koperative, me ne fund kishin fituar guximin qe te zbresin ne qytet, apo ne Kombinat. Gjate kohes se komunizmit, ne banoret e Kombinatit qe ishim me shumice toske, i shikonim fshataret e Sharres si injorante, te prapambetur dhe katundare. Regjimi i diskriminonte katundaret jo vetem me punen e rende por edhe me diskrimin ne shkollimin e femijeve dhe menyren e trajtimit nga pushteti. Ne, “qytetaret” jetonim ne pallate, hanim buke gruri dhe ushqime te mira, ndersa “katundaret” hanin buke misri dhe ushqime me te keqia se ne. Ne qytetaret kishim mundesi me te mira shkollimi, punesimi etj.

Kombinati i Tekstileve Stalin ishte ndertuar me “kolone” toske, te cilet Partia e Punes solli me shumice nga jugu i Shqiperise. Por me renien e komunizmit, xhamia e Sharres qe u ndertua prane rajonit te policise ishte institucioni i pare qe do tregonte rendesine e “katundareve”. Dhe ne nje kohe kur ne lagje nuk kishte me front demokratik qe tu mesonte moralet popullit, xhamia u kthye ne qendren e moralit dhe kuptimit per boten pas komuniste.

3.

Denisi qe ishte djale qyteti, me babane minoritar qe jetonte ne Tirane lindi ne Kombinatin e kohes se komunizmit. Por me renien e regjimit, babai i shkoi ne Greqi ku do i vdiste ne nje aksident dhe i ngelur jetim, pasi pranoi Islamin, e gjeti xhamine si institucionin me te rendesishem te jetes se tij. Duke mos patur prinder dhe njerez qe ta ndihmojne, Mikaili u lidh shume me xhamine dhe xhematin. Banesa ku ai jetonte ne Tirane do i merrej nga nje i afert dhe Mikaili perfundoi te flinte ne xhami.

Si miku i tij me i ngushte dhe hoxha i tij, Denisin e pagezova me emrin Islam, Mikail (versioni islamik i emrit Michael apo Majkell). Hoxhe Jashar Xhameta kishte emeruar nje nga nipat e tij Rafail, sipas njerit prej engjejve qe ka takuar Dhul Karneinin. Une i propozova Dionisit qe ta therrasim Mikail, sipas krye-engjellit qe jep rriskun. Hoxhe Jashari qe na bente “ders” qe nga menyra sesi eshte falur imami azam Ebu Hanifa, e deri te menyra e berit seks me grate, na fliste edhe per melaqete e Allahut. Mikailit i pelqeu emri pasi edhe ai sikur Mikhail Gorbachovi kishte nje vule te kuqe ne fytyre.

4.

Pas pranimit te Islamit, ne nuk e therrisnim me Dionisin Denis. Por i gjithe Kombinati do e njihte si Mikail. Ai do behej nje nga predikuesit me te zellshem te Islamit dhe i gjithe xhemati i besimtareve do e donte dhe do i dhimbej pasi ishte jetim dhe familje. Ne besimtaret e medhenj e merrnim ne shtepite tona, e mbanim me vete dhe e ndihmonim ekonomikisht.

Mikaili kishte nje sens humori dhe memori te papare. Do mbante mend cdo qyfyre qe do bente ne xhami hoxhe Rexhep Prokopuca, Hafiz Sabri Koci e deri te Jashar Xhameta dhe do i perseriste qyfyret e tyre si aktor i papare.

5.

Ne vitin 1996 une u largova me studime ne Malajzi me nje grup djemsh e vajzash nga Tirana. Ne keto kohe Mikaili ngeli pas ne Kombinat. Ne vitin 1997, kur amerikanet nxiten luften civile kunder pushtetit te Sali Berishes, Bashkim Gazidedes dhe Islamit ne Shqiperi, Mikailit iu desh te perjetoje te gjithe tmerren e luftes civile ne vend. Ai pa vrasje te shumta ne Kombinat, vrasjen e mikut tone Dardanit qe ne e quanim Khalid sipas kujtimit te Khalid bin Velidit. Mikaili do deshmonte edhe ardhjen e rrymave vehabiste / tekfiriste ne xhamite e Tiranes fakt qe do e trondiste shume.

Deri ne vitin 1996, rryma qe dominonte xhamine e Kombinatit ishte hanefizmi turk. Hoxhallaret e kohes se Haxhi Qamilit kishin ruajtur hanefizmin me fanatizem; qe nga emerimi i vakteve te namazeve ne turqisht, kendimi i Kulejvallahut nga muezini para namazit, marrja e avdesit, lidhja e duarve, ngulja e gishtit ne toke per namaz, te berja e nijetit me ze per namaz, matja e kohes, parja e henes dhe percaktimi i vakteve te namazit sipas metodes turke. Megjithate pas vitit 1997 ne xhamine e Sharres ashtu sikur ne te gjithe xhamite e Shqiperise, erdhen rrymat e spiunazhit saudit. Nje predikues me emrin Mexhdi, pervec se u mesoi mire Kuranin besimtareve nisi tu predikoj edhe xhihadin ne Ceceni, vehabizmin dhe tu thote qe ne besimtaret e vjeter qe kishim shkuar te studiojme ne Malajzi ishim fasike (te prishur), pasi malajzianet jane me vellazerine muslimane dhe si pasoje nuk ishim muslimane te vertete.

Me Mikailin mbaja korrespondence te vazhdueshme. Ai me conte letra dhe me tregonte sesi besimtaret vriteshin, sesi Mexhdiu u predikonte qe ne nuk ishim besimtare te mire. Ne nje nga letrat, Mikaili me tregonte qe ne xhami nje dite besimtaret hapen televizorin per te pare nje video mbi xhihadin ne Ceceni nga kasetat qe Mexhdiu u sillte besimtareve me Emir Khatabin qe vriste ruse. Fondacionet saudite e kishin kthyer predikimin e xhihadit pjese te besimit neper xhami. Por, Mikaili me shkruante, kur ne vume kaseten per te pare xhihad, padashje dikush kishte futur nje kasete me porno. Estagfirullah – me thoshte Mikaili – ne pame porno, por me pas e hodhem kaseten dhe nuk do shohim me  – inshallah.

6.

Mikaili do vinte ne Malajzi ne vitin 1998 me nje grup tjeter studentesh nga Shqiperia. Ne Malajzi ai do studionte shkenca politike, do martohej me nje besimtare muslimane nga Kina. Pas studimeve dhe qendrimit ne Malajzi ai do largohej per ne Kine, ku do jetonte deri ne 22 maj 2024.

Edhe pse une e lashe Malajzine ne vitin 2002, me Mikailin kam vazhduar te komunikoj ne distance. Kur vinte me pushime ne Shqiperi takoheshim gjithmone. Tanime ai nuk ishte me femije, por ishte burre. Kishte lindur nje vajze dhe pas vitit 2009 u largua per ne Kine ku jetonte ne qytetin e Guanzhout.

Ai ndiqte zhvillimet ne Shqiperi dhe ne vitin 2012 kur sauditet radikalizuan me qindra muslimane dhe i cuan si kamikaze ne Siri – dhe ne ate kohe shume vehabij mua me sulmonin duke me shpallur shiit meqe refuzoja “xhihadin” vehabist qe behej kunder Sirise – ai behej nervoz me trushpelarjen e besimtareve te cileve ne u kishim mesuar Islamin ne vitet 90. Ne xhamite e Tiranes ne kete kohe, sherbimi sekret saudit futi rrymen e medkhalizmit, ku grupet ultra-vehabiste saudite ex-komunikonin apo shpallnin qafire besimtaret e tjere. Mikaili merzitej kur shikonte sesi keto grupe me sulmonin dhe habitej sesi njerez qe ne u kishim mesuar Islamin ne vitet 90, tani na benin qafire.

7.

Ne Kine Mikaili merrej me tregti. Sherbente si agjent per biznesmenet shqiptare qe blenin mallra per eksport. Kishte ndertuar nje jete te mire.

Hera e fundit qe kam takuar Mikailin ka qene viti 2018 apo 2019. Ishte zbukuruar. Kishte bere operacion plastik dhe kishte hequr nje pjese te vules se kuqe qe kishte ne fytyre. E takova te Taivani ne Tirane dhe nisa te qesh.

Me tha: si dukem tani qe kam bere operacion plastik.

I thashe: Mire dukesh. Nga ta hoqen lekuren qe ta vune ne surrat.

Nga by.. – me tha.

Qeshem dhe kujtuam rinine.

Pas vajtjes sime ne Kine dhe gjurulldise qe bera aty, Mikaili nuk me shkroi me. Une e kuptoja shume mire. Une jam Allahu na rujt.

8.

Lajmin e fundit mbi Mikailin e mora ne date 23 maj 2024 kur Genti i Dautit kishte mesuar nga nje djale nga Shqiperia qe Mikaili ka vdekur. Lajmi na tronditi. U vume ne levizje per te gjetur kontakt me gruan e tij dhe qe nga ajo dite e deri me sot jemi munduar qe te levizim kuç e maç qe te ndihmojne gruan e tij qe kinezet te mos i djegin kufomen. Aldoja ne Tirane, Klajdi dhe Ergysi ne Kine, Genti ne Malajzi dhe dhjetra besimtare te tjere jemi vene ne levizje qe vellait tone, Mikailit ti gjejme nje vend nen toke ku Dionisi do kaloje pjesen e mbetur te kohes, deri ne Diten e Madhe te Qametit.

Vdekja e Mikailit mua me ka vrare nje pjese te jetes dhe historise sime te rinise. Mikailin une e kam patur si djalin tim. Ka ngrene e fjetur ne shtepine time. E kam share dhe dashur. Kemi folur greqisht, italisht, mbrapsht e shqip dhe kemi kaluar kohen me te bukur te jetes.

Por ja qe ne 22 maj 2024 Mikaili vdiq. Ai ishte dy vjet me i ri se une, por une gjithmone e kam konsideruar si femijen tim.

Por ja qe Mikaili, engjelli qe jep rriskun, paskesh vendosur qe Mikaili yne do vdiste perpara meje.

Une i lutem Allahut qe dheun t’ia bej te lehte Mikailit ne Kine. Une deshmoj qe Mikaili ka qene njeri dhe besimtar i mire. Une kam mall per Mikailin.

Selam aleikum Mikail!

Shkruar me 25 maj 2024

Ne Genting Highlands, Malajzi

This entry was posted in Uncategorized. Bookmark the permalink.

Leave a comment